Çerdhja “Fatosat” në Ulpianë, pa rrymë dhe ngrohje, prindërit detyrohen t’i marrin fëmijët

Institucioni Parashkollor “Fatosat” në rrugën “Zija Shemsiu” në lagjen Ulpiana të Prishtinës ka mbetur pa energji elektrike dhe pa ngrohje të hënën, duke krijuar kushte të papërshtatshme për qëndrimin e fëmijëve.

Si pasojë e temperaturave të ulëta brenda ambienteve, prindërit janë detyruar t’i marrin fëmijët nga çerdhja, pasi qëndrimi i tyre aty është konsideruar i pasigurt.

“Jam detyruar të dal nga puna për të shkuar ta marr fëmijën nga çerdhja, pasi kushtet atje janë të papërshtatshme dhe shumë të ftohta për qëndrimin e tij. Po ashtu edhe mungesa e energjisë elektrike e vështirëson qëndrimin,” ka thënë një prind për Gazeta Stop.

Kjo situatë ka shkaktuar vështirësi të shumta për prindërit, të cilët janë përballur me ndërprerje të obligimeve të tyre të përditshme dhe profesionale.

Në një njoftim të shpërndarë në grupet e prindërve, drejtoria e institucionit ka bërë të ditur mungesën e energjisë elektrike dhe të ngrohjes, por pa dhënë sqarime për arsyet e kësaj gjendjeje.

“Lagjja Ulpiana nga dje është pa energji elektrike. Deshëm t’ju njoftojmë që institucioni është pa ngrohje”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së I.P. “Fatosat”.

Deri më tani, nuk ka pasur asnjë reagim apo sqarim zyrtar nga Komuna e Prishtinës lidhur me këtë problematikë, duke lënë prindërit në paqartësi për kohëzgjatjen e kësaj situate.