Prokuroria nis hetime për njehsorët e rrymës, dyshime për mashtrim

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policia e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore lidhur me dyshimet për parregullsi në njehsorët elektrikë.

Sipas Prokurorisë, hetimet synojnë sigurimin dhe grumbullimin e provave shtesë për këtë rast, duke përfshirë edhe veprime konkrete ndaj zyrtarëve të KEDS.

Dyshimet lidhen me faktin se njehsorët elektrikë mund të mos bëjnë matjen e saktë të energjisë së shpenzuar, çka mund të ketë shkaktuar pasoja financiare për qytetarët.

Në këtë drejtim, Prokuroria ka bërë të ditur se ekziston dyshimi për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”, sipas nenit 323 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Janë autorizuar të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të siguruar prova shtesë lidhur me këtë rast, përfshirë edhe veprimet ndaj zyrtarëve përkatës”, thuhet në njoftim.

Prokuroria ka theksuar se mbetet e përkushtuar në ushtrimin e kompetencave të saj ligjore, duke garantuar zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik.

Hetimet pritet të sqarojnë nëse ka pasur manipulime apo parregullsi në matjen e energjisë elektrike dhe përgjegjësinë eventuale të zyrtarëve të përfshirë.