Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka paralajmëruar për pasoja serioze ekonomike si rezultat i çrregullimeve në tregun global të naftës, duke theksuar se pasiguria në furnizim është më e dëmshme sesa mungesa fizike e saj.
Përmes një reagimi publik, Gërxhaliu ka vlerësuar se deklaratat politike për përfundimin e mundshëm të konflikteve, ndërkohë që sulmet dhe bombardimet vazhdojnë, po krijojnë frikë dhe paqartësi në tregjet ndërkombëtare të energjisë. Sipas tij, tregu nuk reagon ndaj deklaratave politike, por ndaj realitetit që mbetet pas tyre.
Ai ngriti shqetësimin për sigurinë e rrugëve kryesore detare, veçanërisht për funksionimin normal të Ngushticës së Hormuzit dhe lëvizjen e tankerëve të naftës, duke theksuar se çdo rrezik ndaj infrastrukturës energjetike në Gjirin Persik mund të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve globale.
Sipas Gërxhaliut, nëse situata ndërkombëtare qetësohet realisht, çmimet e naftës mund të bien, pasi aktualisht ato përfshijnë një “premium lufte”. Megjithatë, nëse konfliktet lënë pas kaos, rrugë detare të pasigurta dhe infrastrukturë të dëmtuar, çmimet nuk do të ulen aq shpejt sa pritet.
Ai thekson se një krizë energjetike nuk lidhet vetëm me çmimin e një bareli, por me dobësinë strukturore të tregut — luftërat, sanksionet, rreziku për transportin detar, sigurimet më të shtrenjta dhe pasiguria për furnizimin e së ardhmes.
Gërxhaliu vlerëson se tregu global sot është më i fragmentuar krahasuar me vitet 2008 apo fillimin e viteve 2010, duke shtuar se i njëjti çmim i naftës ka ndikim shumë më të rëndë ekonomik në një botë të përballur me tensione gjeopolitike dhe pasiguri energjetike.
Ai paralajmëron se ndikimi i rritjes së çmimeve ndjehet menjëherë në transport dhe logjistikë, ndërsa në sektorë si industria, energjia dhe bujqësia efektet shfaqen edhe me vonesë, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të ushqimeve.
Sipas tij, një pjesë e zinxhirit tregtar po përdor rritjen e kostove si arsyetim për ngritje të parakohshme të çmimeve, duke theksuar se kjo nuk lidhet gjithmonë me realitetin ekonomik, por shpesh edhe me fitime të tepruara.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për ligjet e tregut, por edhe për lakmi të pastër”, ka theksuar ai, duke shtuar se nëse praktika të tilla vazhdojnë, shteti duhet të ndërhyjë përmes mekanizmave fiskalë dhe masave rregullatore për mbrojtjen e qytetarëve.
Gërxhaliu përfundon se stabiliteti energjetik dhe transparenca në treg janë thelbësore për të shmangur presionin inflacionist dhe për të mbrojtur ekonominë nga kriza më të thella në të ardhmen.