Gjithsej 19 ditë kohë kanë mbetur për t’i evituar zgjedhjet e parakohshme, duke zgjedhur presidentin e ri të shtetit. E, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetueses në lidhje me presidentin, është realizuar vetëm një takim me qëllim arritjen e konsensusit për kandidatin.
Kryeministri Albin Kurti, është takuar me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, por nuk ka arritur pajtim për këtë çështje. E, bazuar në aktgjykimin e Kushtetueses, presidenti i ri duhet të zgjidhet më së largu deri më 28 prill.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, tha të mërkurën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit se takimet do të intensifikohet ditëve në vijim.
“Besoj që gjatë këtyre ditëve do të intensifikohen përpjekjet për të gjetur një zgjidhje dhe që presidenti të zgjidhet brenda afatit kushtetues, sepse jemi të bindur që vendit i duhet një president i zgjedhur në Kuvend. Zgjedhjet e reja nuk do të sillnin rezultat tjetër dhe janë të panevojshme”, ka thënë Nagavci.
E, deputetja nga radhët e PDK-së, e cila është edhe nënkryetare e Kuvendit, Vlora Çitaku, kërkoi më shumë seriozitet nga kryeministri Kurti për këtë proces. Sipas saj, PDK-ja është në pritje të letrës së kërkuar.
“Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari i saj, Albin Kurti, duhet ta trajtojnë çështjen e zgjedhjes së presidentit me seriozitet dhe përgjegjësi që një situatë e tillë imponon. Tash është radha që Vetëvendosja deklaratat e saj publike t’i konkretizojë në një letër të shkruar që PDK-ja do ta shqyrtojë. Deri tani nuk kemi pranuar asnjë kërkesë zyrtare nga Vetëvendosja”, ka thënë Çitaku.
E shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, tha se përgjegjësia për zgjidhjen e situatës bie mbi shumicën parlamentare.
“Është tepër e rëndësishme që të gjithë ta kuptojmë që Gjykata Kushtetuese ka vënë afate të qarta. Duhet seriozisht të bëhen diskutime intensive me qëllim të daljes nga kjo situatë dhe për t’i dhënë vendit një president. Ne presim që bisedimet të jenë gjatë ditëve të mbetura. Varet nga ata që kanë maksimumin e votave, por rreziku është shumë i madh që të shkojmë në zgjedhje në mungesë zgjidhjeje. Pa vullnetin politik të tyre nuk mund t’i jepet zgjidhje vendit”, ka thënë Lushaku-Sadriu.
Ajo ka mohuar se në takimin e fundit me Kurtin, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku e ka kërkuar postin e presidentit.
“Këto janë dezinformata. Ju keni marrë deklaratën zyrtare të Abdixhikut, i cili ka qenë prezent dhe i ka bërë këto negociata. Ne jemi të bindur dhe të gatshëm të japim kontribut në këto takime. Çfarëdo që diskutohet jashtë asaj që ne japim deklaratë zyrtare janë dezinformata”, ka thënë ajo.
Ndërkaq kryetarja e Kuvendit, që është edhe ushtruese e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, u bëri thirrje partive që të tregojnë vullnet politik.
“Uroj që të mos vijmë në situatën kur duhet të caktohet data e zgjedhjeve brenda afatit kushtetues prej 45 ditësh. Nëse i duhem grupeve parlamentare, jam e gatshme të ndihmoj me takime, por është e rëndësishme që të gjitha partitë të dëshmojnë vullnet për të gjetur një zgjidhje”, ka thënë Haxhiu.
Deri tash, Kurti nuk ka takuar kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, për çështjen e presidentit. /Koha/