FMN paralajmëron: Kosova rrezikon të mbetet ndër vendet më të varfra në Evropë deri në vitin 2030

Fondi Monetar Ndërkombëtar në parashikimet e fundit ka vlerësuar se Kosova edhe në vitin 2030 do të vazhdojë të jetë ndër vendet me të ardhurat më të ulëta për frymë në Evropë.

Lidhur me këtë raport, Aleanca Kosovare e Bizneseve ka reaguar me shqetësim të thellë, duke e cilësuar këtë vlerësim si një sinjal serioz për gjendjen ekonomike të vendit. Sipas AKB-së, këto parashikime tregojnë qartë se rritja ekonomike aktuale nuk po reflektohet në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.

AKB thekson se ekonomia e Kosovës vazhdon të mbetet e varur kryesisht nga konsumi dhe remitencat, ndërkohë që investimet produktive dhe mbështetja për bizneset vendore mbeten të pamjaftueshme.

Në reagimin e saj, AKB u bën thirrje institucioneve të vendit për ndryshim urgjent të politikave ekonomike, duke kërkuar rritje të investimeve kapitale, mbështetje konkrete për prodhimin vendor dhe eksportin, si dhe përmirësim të klimës së investimeve.

Sipas këtij organizimi, parashikimet e FMN-së përbëjnë një pasqyrë reale të sfidave ekonomike me të cilat përballet vendi. Pa reforma të thella dhe pa një mbështetje më të fuqishme për sektorin privat, Kosova rrezikon të mbetet në fund të Evropës edhe në vitin 2030.

Në fund, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, theksoi se është koha për veprime konkrete dhe ndryshim të kursit ekonomik, në mënyrë që të krijohen kushte më të favorshme për bizneset dhe investitorët në Kosovë.