Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, do të mbajë sot konferencë për media.
Konferenca pritet të zhvillohet në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, duke filluar nga ora 16:30.
Nuk janë bërë të ditura detaje shtesë lidhur me temat që do të trajtohen, por pritet që deklarimi i tij të lidhet me zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë procesin e zgjedhjes së presidentit, shkruan Gazeta Stop
Ndryshe, Seanca e Kuvendit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës është shtyrë për herë të tretë gjatë ditës, ndërsa vazhdimi i saj i radhës është paralajmëruar të mbahet në orën 19:00.
Procesi ka hasur në pengesa të vazhdueshme për shkak të mungesës së kuorumit dhe mospjesëmarrjes së deputetëve të opozitës, duke e lënë vendin në një situatë të paqartë politike.
Sipas rregullave kushtetuese, nëse gjatë ditës së sotme nuk arrihet zgjedhja e presidentit, vendi pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, të cilat duhet të mbahen brenda një afati prej 30 deri në 45 ditësh.
Një ditë më parë, Lëvizja Vetëvendosje kishte propozuar dy kandidate për presidente: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha. Në rundin e parë të votimit, Rushiti mori 63 vota, ndërsa Hoxha nuk arriti të sigurojë asnjë votë.
Seanca është bojkotuar nga partitë opozitare, të cilat e kanë cilësuar procesin si jokushtetues për shkak të mungesës së numrit të nevojshëm të deputetëve në sallë. Në anën tjetër, përfaqësues të pushtetit kanë bërë thirrje për pjesëmarrje, duke theksuar rëndësinë e zgjedhjes së presidentit për stabilitetin institucional.