KEDS-i gjobitet me 90 mijë euro për orët e rrymës

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), ka njoftuar për masa ndëshkuese ndaj operatorit KEDS, pas konstatimit të parregullsive në njehsorët elektrikë.

Sipas komunikatës së MINTI, “janë shqiptuar 18 gjoba ndaj KEDS-it, në vlerë totale prej 90 mijë eurosh, për shkak se për 18 njehsorë të verifikuar është konstatuar se u kishte skaduar afati i vlefshmërisë”.

Tutje në komunikatë thuhet se “gjatë muajit prill 2026, është vazhduar me verifikimin e ankesave të konsumatorëve në lidhje me parregullsitë në njehsorët elektrikë”, ndërsa “komisioni ad hoc ka pranuar 574 ankesa të mbështetura me dëshmi për devijime në orë dhe datë”.

Procesi i verifikimit ka përfshirë edhe testimin laboratorik në Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, ku sipas MINTI-t, “në 38 prej tyre janë konstatuar devijime kohore, ndërsa në 18 njehsorë të verifikuar është konstatuar se u kishte skaduar afati i vlefshmërisë”.

Në lidhje me kompensimin e konsumatorëve, komunikata thekson se “ankesat e konsumatorëve… janë duke u përcjellë në KESCO, nga e cila kërkohet kompensim i menjëhershëm për konsumatorët e dëmtuar”.

Gjithashtu, “raportet zyrtare nga komisioni verifikues do të dorëzohen edhe në organet e drejtësisë si prova për zhvillimin e procedurave hetimore të nisura”.

MINTI ka bërë të ditur se “edhe gjatë muajit maj do të vazhdojë me trajtimin e ankesave, verifikimin e njehsorëve dhe shqiptimin e gjobave”, duke inkurajuar qytetarët që “të vazhdojnë të adresojnë ankesat e tyre, duke bashkëngjitur dëshmi”.