Taksa 10 euro nuk vlen për gjithë Prishtinën, vetëm për zonën qendrore

Drejtori për Zhvillim Ekonomik dhe Inovacion në Komunën e Prishtinës, Luftar Braha, ka sqaruar propozimin për vendosjen e një tarife prej 10 eurosh për hyrjen në zonën qendrore të kryeqytetit, duke theksuar se dokumenti aktualisht ndodhet vetëm në fazën e dëgjimit publik dhe se ende nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar.

Braha tha se në opinionin publik janë krijuar keqkuptime lidhur me këtë propozim, pasi ideja nuk është që çdo qytetar që hyn në Prishtinë apo lëviz me veturë në qendër të paguajë tarifën prej 10 eurosh.

Sipas tij, masa po shqyrtohet kryesisht për kategori të caktuara automjetesh që kanë ndikim më të madh në trafikun urban dhe ndotjen e mjedisit, si kamionët e ndërtimit, autobusët dhe makineritë e vjetra.

Ai theksoi se qëllimi i propozimit është menaxhimi më i mirë i trafikut, reduktimi i ndotjes së ajrit dhe krijimi i një qendre më të qasshme për këmbësorët dhe transportin publik.

“Nëse vjen prej Pejës dhe parkon veturën mbrapa Pallatit të Rinisë, nuk të bie me pagu”, deklaroi Braha, duke lënë të kuptohet se tarifa nuk do të zbatohej për qytetarët që shfrytëzojnë hapësirat e zakonshme të parkimit jashtë zonës së kufizuar.

Komuna e Prishtinës ka hapur procesin e konsultimit publik për këtë propozim, ndërsa qytetarët, bizneset dhe grupet e interesit mund të japin komentet dhe sugjerimet e tyre para se të merret një vendim përfundimtar.

Debati për tarifimin e hyrjes në qendër të qytetit është përdorur në shumë kryeqytete evropiane si një mjet për të ulur trafikun dhe ndotjen, por mbetet të shihet se çfarë forme do të marrë ky propozim në Prishtinë pas përfundimit të konsultimeve publike.