Qytetarët e Kosovës do të paguajnë më shtrenjtë për karburantet gjatë ditës së sotme, pasi çmimet e naftës dhe benzinës kanë shënuar rritje krahasuar me një ditë më parë.
Sipas çmimeve maksimale të lejuara të publikuara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), një litër naftë do të shitet sot me çmim prej 1.51 euro, ndërsa benzina me 1.43 euro për litër.
Ndërkaq, çmimi i gazit (LPG) është përcaktuar në 0.71 euro për litër.
Krahasuar me ditën e djeshme, si nafta ashtu edhe benzina janë shtrenjtuar për dy centë për litër, duke reflektuar lëvizjet e fundit në tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Rritja e çmimeve të derivateve vjen në një kohë tensionesh të shtuara në Lindjen e Mesme. Tregjet globale të naftës janë ndikuar nga përshkallëzimi i konfliktit ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Izraelit dhe Iranit, ndërsa mbyllja e Ngushticës së Hormuzit ka shtuar shqetësimet për furnizimin me naftë në nivel botëror.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin e energjisë, pasi përmes saj kalon rreth 20 për qind e naftës së tregtuar në botë. Çdo pengesë në këtë korridor strategjik ndikon drejtpërdrejt në luhatjen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe rrjedhimisht edhe në Kosovë.
