BQK dhe Banka Qendrore e Emirateve me memorandum bashkëpunimi

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, dhe guvernatori i Bankës Qendrore të Emirateve të Bashkuara Arabe (CBUAE), Khaled Mohamed Balama, kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi që synon forcimin e bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimin e ekspertizës ndërmjet dy institucioneve.

Ceremonia e nënshkrimit u mbajt në selinë e Bankës Qendrore të Emirateve të Bashkuara Arabe, në Abu Dhabi.

Sipas njoftimit të BQK-së, marrëveshja parashikon zgjerimin e bashkëpunimit në fushat e mbikëqyrjes dhe rregullimit financiar, zhvillimit të teknologjisë financiare (fintech), politikës monetare, masave makroprudenciale dhe stabilitetit financiar.

Memorandumi përfshin gjithashtu bashkëpunim në mbrojtjen e konsumatorëve financiarë, edukimin dhe përfshirjen financiare, bankimin me parime islame, mbikëqyrjen e sistemeve bankare dhe të pagesave, si dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare për luftimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (AML/CFT).

Guvernatori i CBUAE-së, Khaled Mohamed Balama, tha se marrëveshja vjen në një periudhë ndryshimesh të shpejta në sektorin financiar global dhe synon të krijojë kanale më të forta bashkëpunimi ndërmjet bankave qendrore. Sipas tij, shkëmbimi i njohurive dhe praktikave më të mira do të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve dhe gatishmërisë së sektorit financiar për t’iu përshtatur zhvillimeve të reja.

Nga ana tjetër, guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, e cilësoi memorandumin si marrëveshjen e parë të këtij lloji ndërmjet Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe në nivel të bankave qendrore. Ai tha se dokumenti pasqyron angazhimin e BQK-së për të zgjeruar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të mbështetur modernizimin e sektorit financiar të Kosovës në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare.

Marrëveshja është pjesë e përpjekjeve të BQK-së për të thelluar bashkëpunimin me institucione financiare ndërkombëtare dhe për të forcuar kapacitetet institucionale në një periudhë të transformimeve të shpejta në sistemin financiar global.