Argjentina ka arritur fitore dramatike në gjysmëfinale dhe luftoi shumë përballë Anglisë në “Atlanta Stadium”. I shënoi dy gola në pesë minutat e fundit të gjithë takimit dhe avancoi në finale të Kupës së Botës, pas fitores 2:1.
Të dielën takohet me Spanjën në finale. Finalja zhvillohet në New Yersey nga ora 21:00. Anglia ndërkohë luan për vend të tretë ndaj Francës të shtunën nga ora 23:00. Ai ballafaqim zhvillohet në “Miami Stadium”.
Kampionia në fuqi e botës, e cila e fitoi Botërorin e tretë në Katar para katër vjetësh, ishte fare pranë eliminimit nga Anglia. Ishte në disavantazh deri në minutat e fundit të ndeshjes, pasi Anthony Gordon realizoi në minutën e 55-të për 1:0.
Por, siç ndodhi shpesh në këtë turne të ngjarjes globale, Argjentina u kthye dhe barazoi shifrat me Enzo Fernandezin që gjuajti fuqishëm e saktë në portën e portierit Jordan Pickford, në minutën e 85-të.
Lionel Messi ishte asistues në golin e tij. Messi asistoi edhe në minutën e dytë të shtesës për Lautaro Martinezin, i cili vulosi fitoren e madhe të argjentinasve.
Messi tani ka gol apo asistim në 11 ndeshje rresht të Kupës së Botës, ecuri që ka nisur prej vitit 2022. E vazhdon edhe ecurinë pa humbje që është rekord për 60 vjetët e fundit. Ai u zgjodh edhe lojtari më i mirë i ndeshjes nga FIFA.
Dështimi i Anglisë do të thotë se viti 1966 ka qenë më i miri për “Tre Luanët”, kur e fituan trofeun e çmuar të Botërorit.