Statistikat favorizojnë Spanjën, por finalja ndaj Argjentinës mbetet e hapur

Spanja hyn si favorite në finalen e Kupës së Botës 2026 kundër Argjentinës, sipas modeleve statistikore dhe parashikimeve të analistëve, megjithëse diferenca mes dy skuadrave konsiderohet e ngushtë. 

Sipas simulimeve të Opta Supercomputer, Spanja ka rreth 45% gjasa ta fitojë ndeshjen brenda 90 minutave, ndërsa Argjentina vlerësohet me rreth 26%. Në rreth 29% të rasteve, finalja pritet të shkojë në vazhdime ose penallti, çka tregon sa i balancuar pritet të jetë dueli. 

Modele të tjera statistikore dhe tregjet e basteve gjithashtu e vendosin Spanjën si favorite për të ngritur trofeun. Vlerësimet i japin kombëtares spanjolle rreth 59-61% mundësi për t’u shpallur kampione e botës, ndërsa Argjentina llogaritet me 39-41% shanse. 

Një nga arsyet kryesore pse Spanja konsiderohet favorite është paraqitja mbresëlënëse në mbrojtje. Skuadra spanjolle ka pësuar shumë pak raste të rrezikshme gjatë turneut dhe ka ndërtuar një nga mbrojtjet më të forta të Kampionatit Botëror. Nga ana tjetër, Argjentina ka sulmin më produktiv të turneut, duke shënuar më shumë gola se çdo ekip tjetër dhe duke u mbështetur te përvoja e Lionel Messit dhe efikasiteti i repartit ofensiv. 

Megjithatë, ekspertët theksojnë se finalet shpesh vendosen nga detajet dhe se statistikat nuk garantojnë fituesin. Përvoja e Argjentinës në ndeshjet vendimtare dhe seria e fitoreve të saj e bëjnë finalen një nga më të paparashikueshmet e viteve të fundit. 

Finalja mes Spanjës dhe Argjentinës zhvillohet sonte në orën 21:00, ndërsa fituesi do të kurorëzohet kampion i botës për vitin 2026.