Një viktimë dhe 34 të lënduar në aksidentet e 24 orëve të fundit në Kosovë

Një person ka humbur jetën, ndërsa 34 të tjerë janë lënduar si pasojë e aksidenteve të trafikut të regjistruara gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë.

Sipas raportit ditor të Policisë së Kosovës, në këtë periudhë janë evidentuar gjithsej 117 aksidente trafiku. Prej tyre, 82 kanë përfunduar vetëm me dëme materiale, 34 kanë qenë me persona të lënduar, ndërsa një aksident ka rezultuar me fatalitet.

Policia ka vazhduar edhe kontrollet në komunikacion, duke shqiptuar 2,104 gjoba për shkelje të rregullave të trafikut rrugor.

Ndërkaq, në raportin 24-orësh bëhet e ditur se 27 persona janë arrestuar, 12 janë dërguar në mbajtje, ndërsa pesë persona janë dërguar në vuajtje të dënimit.