Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të hënën në Pejë, ku një grua ka humbur jetën pasi është goditur nga një tren.
Rastin e ka konfirmuar për Klankosova.tv zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
Sipas informacioneve fillestare, ngjarja ka ndodhur gjatë ditës në territorin e komunës së Pejës. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe ekipet përkatëse emergjente, të cilat kanë konstatuar vdekjen e viktimës.
Policia ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja, ndërsa trupi i pajetë i viktimës pritet t’i nënshtrohet procedurave të parapara ligjore me urdhër të organeve kompetente.
Në këtë fazë, autoritetet nuk kanë bërë të ditur identitetin e viktimës, moshën e saj apo detaje të tjera lidhur me shkaqet e aksidentit. Po ashtu, nuk është bërë e ditur nëse qarkullimi hekurudhor është ndërprerë përkohësisht pas incidentit.
Policia ka njoftuar se hetimet janë në vazhdim dhe më shumë informacione pritet të bëhen publike pasi të përfundojnë veprimet hetimore dhe ekzaminimet në vendin e ngjarjes.