S’ka marrëveshje, LDK kërkon presidentin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se takimi me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, nuk ka sjellë përparim drejt arritjes së një marrëveshjeje politike.

Pas përfundimit të takimit, Abdixhiku tha para gazetarëve se nuk ka zhvillime të reja dhe se dallimet mes dy partive mbeten të mëdha.

“Nuk kam lajme të reja, por mund t’iu them se jemi shumë, shumë larg një marrëveshjeje”, u shpreh ai.

Kreu i LDK-së bëri të ditur se një nga çështjet kryesore ku nuk është arritur dakordim është posti i presidentit të vendit.

Sipas Abdixhikut, LDK ka kërkuar që e drejta për të propozuar kandidatin për president t’i takojë kësaj partie, ndërsa më pas emri i propozuar të diskutohet me palët.

“Është çështja e presidentit. LDK ka shpresuar që presidenti të propozohet nga LDK, pastaj emrat të diskutohen. Në këtë pikë nuk ka pasur dakordim”, tha Abdixhiku.

Takimi mes Kurtit dhe Abdixhikut vjen në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje politike për konstituimin e institucioneve, por deklaratat e fundit tregojnë se palët vazhdojnë të kenë qëndrime të ndryshme për çështjet kyçe të negociatave.