Kurti prezanton projektin për banim social: 37 milionë euro për 21 komuna

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar projektin për banim social adekuat, i cili synon përmirësimin e kushteve të jetesës për familjet në nevojë.

Kurti tha se projekti paraqet një investim në dinjitetin e familjeve, barazinë dhe sigurinë sociale, duke theksuar se shteti duhet të mbështesë familjet që nuk kanë mundësi të sigurojnë vetë kushte të përshtatshme banimi.

“Mbështetja për një familje nuk është vetëm një pagesë mujore, por edhe mundësia që ajo familje të ketë strehim të përshtatshëm, të sigurt e dinjitoz”, tha Kurti.

Sipas tij, projekti është financuar përmes një kredie prej 25 milionë eurosh nga Banka për Zhvillim të Këshillit të Evropës, ndërsa 12 milionë euro të tjera janë ndarë nga buxheti i Kosovës, duke e çuar fondin total në 37 milionë euro.

Në projekt do të përfshihen 21 komuna, ndërsa nga ndërhyrjet e planifikuara pritet të përfitojnë qindra familje.

Kurti tha se komunat do të kenë rol të rëndësishëm në zbatimin e projektit, përfshirë procedurat e prokurimit dhe përzgjedhjen e familjeve përfituese.

Sipas kryeministrit në detyrë, projekti tashmë ka kaluar nga faza e planifikimit në atë të zbatimit konkret, me synimin që familjeve më të cenueshme t’u sigurohen kushte më të mira dhe më të sigurta banimi.