Rrezikohen licencat e “Kosova A” dhe “Kosova B” për shkak të mungesës së kuorumit në ZRRE

Licencat e termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B” pritet të skadojnë më 4 tetor, ndërsa mungesa e kuorumit në Bordin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) rrezikon vazhdimin e tyre.

Sipas një raportimi të Front Online, ZRRE-ja ka konfirmuar se pa licenca aktive, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) nuk do të kishte bazë ligjore për të vazhduar prodhimin e energjisë elektrike.

Aplikimet për vazhdimin e licencave janë shqyrtuar nga stafi profesional i ZRRE-së, por vendimi përfundimtar nuk mund të merret pa funksionalizimin e Bordit, i cili aktualisht nuk ka kuorum për shkak të mungesës së disa anëtarëve.

Ekspertët e energjisë kanë paralajmëruar për pasoja serioze nëse licencat nuk vazhdohen, duke pasur parasysh rolin e “Kosova A” dhe “Kosova B” në furnizimin me energji elektrike.

Njohësi i energjisë, Lulzim Syla, ka thënë për “Front Online” se përgjegjësia për këtë situatë bie mbi ZRRE-në, Qeverinë dhe Kuvendin, ndërsa e ka cilësuar bllokimin e bordit si të papranueshëm.

Edhe ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj, ka paralajmëruar se mosvazhdimi i licencave do t’i sillte probleme të mëdha Kosovës, duke e lidhur çështjen e energjisë edhe me sigurinë e vendit.

Ndërkaq, eksperti i energjetikës, Vezir Rexhepi, ka theksuar se të dy termocentralet duhet të kenë licenca të vlefshme nga ZRRE-ja për të vazhduar operimin. Sipas tij, çdo problem me funksionimin e tyre do të kishte ndikim të madh në furnizimin me energji elektrike, pasi KEK-u siguron pjesën kryesore të prodhimit vendor të energjisë.

Situata lidhet me mungesën e funksionalizimit të plotë të institucioneve, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Bordi i ZRRE-së do të arrijë të marrë vendim për licencat para skadimit të tyre më 4 tetor. /Front Online/