PDK dërgon në Kushtetuese edhe formimin e Qeverisë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), i është drejtuar sot sërish Gjykatës Kushtetuese edhe për konstituimin e Qeverisë Kurti IV, një ditë pasi në këtë institucion dërgoi çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Deputetët e PDK-së, Arian Tahiri, dhe Përparim Gruda lidhur me këtë mbajtën një konferencë për media.

Tahiri theksoi se kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për me trajtu çështjen e votimit të Qeverisë.

“Jemi këtu tek Gjykata Kushtetuese ku e deponuam kërkesën tonë për me trajtu çështjen e votimit të Qeverisë. Pra, ky Kuvend i cili tashmë ka dilema dhe është vlerësuara nga ana jonë që është i pakonstituuar dhe pa legjitimet, patjetër se duhet t’i vendoset masa dhe duhet të kthehet ligjshmëria nga Gjykata Kushtetuese. Secili vendim që derivon nga ky kuvend i pakonstituuar ne do ta deponojmë në Gjykatë Kushtetuese dhe do të kërkojmë ligjshmëri”, tha ai, raporton Telegrafi.

Ndërkaq, deputeti tjetër, Përparim Gruda theksoi se sot kanë dorëzuar një kërkesë të dytë në Gjykatën Kushtetuese.

“Kemi kontestuar vendimin e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës, sepse siç kemi deklaruar dje ne konsiderojmë se Kuvendi është konstituar duke shkelur Kushtetutën e Kosovës. Një kuvend që është konstituar në mënyrë jo kushtetuese nuk mund të prodhojë institucione kushtetuese”, tha ai.

Tutje Gruda theksoi se edhe më herët kanë bërë ftesë që të mos procedohet tutje me nxjerrje të vendimeve tjera, apo formimin e qeverisë pa u shqyrtuar çdo pikëpyetje lidhur me konstituimin e kvuendit.

“Ne respektojmë punën e pavarur të Gjykatës Kushtetuese dhe përmbahemi nga çdo lloj komentimi mbi vendimmarrjen e saj… gjithçka është në dorën e Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.

Deputeti Gruda theksoi se nuk mund të synojmë të jemi shoqëri që bazohemi në sundim të ligjit nëse institucionet themelore të shtetit nuk kanë qartësi kushtetuese dhe ligjore në themelim të tyre.