Michele Picard, Kai Ambos dhe Nina Jørgensen janë gjyqtarët e caktuar në Panelin e Apelit në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, ka bërë të ditur gazetari Besian Beha.
Sipas njoftimit të Behës, Michele Picard nga Franca do të jetë kryetare e Panelit, ndërsa Kai Ambos nga Gjermania dhe Nina Jørgensen nga Norvegjia do të jenë anëtarë, shkruan www.gazetastop.com
Përbërja e këtij paneli është e njëjtë me atë që ka shqyrtuar edhe rastet e Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës.
Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë konfirmuar se Paneli i Apelit në rastin e Salih Mustafës përbëhej nga Michele Picard si kryesuese, Kai Ambos dhe Nina Jørgensen. E njëjta përbërje ishte caktuar edhe në çështjen e Pjetër Shalës.
Çështja ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit mori një zhvillim të ri pas aktgjykimit të shpallur më 16 shtator 2026. Trupi Gjykues i shpalli të katër të akuzuarit fajtorë për krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes.
Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet burgim, me kreditimin e kohës së kaluar në paraburgim.
Procesi gjyqësor në këtë rast kishte nisur më 3 prill 2023 dhe përfundoi me shpalljen e aktgjykimit më 16 shtator 2026. Sipas Dhomave të Specializuara, në proces morën pjesë 156 viktima dhe dëshmuan gjithsej 134 dëshmitarë.
Me caktimin e Panelit të Apelit, çështja tashmë hyn në fazën e shqyrtimit të ankesave kundër aktgjykimit të shkallës së parë.