Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se sot do të nisin komunikimet për takime me krerët e opozitës, me synimin për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.
Kurti ka thënë se komunikimet do të nisin pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Posa të përfundojmë me takimin që kemi sot me presidenten e Komisionit Evropian, zonjën Ursula von der Leyen, menjëherë do të fillojmë komunikimet për takime me krerët e opozitës, në mënyrë që të mos jemi pa Kuvend më 7 tetor, por më së largu deri më 6 tetor ta kemi presidentin apo presidenten e re”, ka deklaruar Kurti për KosovaPress.
Deklaratën ai e bëri pas homazheve për ish-rektorin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ejup Statovci.
Afati për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor. Nëse nuk arrihet zgjedhja brenda këtij afati, vendi mund të përballet me zgjedhje të reja, sipas procedurave kushtetuese.
Kurti ka paralajmëruar se takimet me opozitën synojnë gjetjen e një marrëveshjeje për të shmangur një skenar të tillë.