Një numër në rritje i përdoruesve në Kosovë, veçanërisht pronarë biznesesh, po përballen me humbjen e qasjes në llogaritë e tyre në WhatsApp, ndërsa ende nuk dihet shkaku i saktë i këtij fenomeni.
Sipas një raportimi të Radios Evropa e Lirë, shqetësimet janë shtuar gjatë javëve të fundit, ndërsa ekspertët e sigurisë kibernetike kanë pranuar raportime nga përdorues të prekur. Eksperti Korab Keqekolla ka thënë se rastet kanë nisur të raportohen rreth dy deri në tre muaj më parë, fillimisht kryesisht te llogaritë e bizneseve. Ai ka deklaruar se personalisht ka marrë më shumë se 100 mesazhe nga persona që kanë kërkuar ndihmë për rikthimin e llogarive, ndërsa nga komuniteti KOSINT janë raportuar edhe qindra raste të tjera.
Një prej personave të prekur është Vëllaznim Kryeziu nga Prishtina, pronar i një kompanie të patundshmërive, i cili e përdorte WhatsApp-in për komunikim me qindra klientë. Ai ka treguar se pasi kishte pranuar disa kode dhe njoftime që dukeshin si përditësime të aplikacionit, humbi qasjen në llogari. Sipas tij, kjo ka ndikuar edhe në komunikimin me klientët.
Edhe një biznesmen tjetër, Arbër Abazi, ka raportuar probleme me llogarinë e tij. Ai ka thënë se për disa javë kishte marrë njoftime për tentativa për aktivizimin e llogarisë nga persona të tjerë, ndërsa më pas llogaria iu bllokua. Abazi ka shprehur shqetësim për mundësinë e keqpërdorimit të dokumenteve dhe faturave që kishte shkëmbyer përmes WhatsApp-it.
Institucionet kosovare ende nuk kanë publikuar të dhëna zyrtare për numrin e llogarive të prekura. Njësia Nacionale për Siguri Kibernetike, KOS-CERT, në kuadër të ARKEP-it, ka bërë të ditur se po analizon rastet e raportuara dhe po përpiqet të bashkëpunojë me institucionet relevante për trajtimin e problemit.
Ekspertët kanë ngritur disa hipoteza për shkakun e problemit. Njëra lidhet me keqpërdorimin e protokollit SS7, i cili mund të përdoret për ridrejtimin e mesazheve që përmbajnë kodet e verifikimit. Një tjetër mundësi e ngritur është një problem në procesin e verifikimit të identitetit në platformën WhatsApp, e cila është në pronësi të kompanisë Meta. Megjithatë, ekspertët theksojnë se pa të dhëna konkrete teknike nuk mund të përcaktohet shkaku i saktë.
Operatorët telefonikë Vala dhe IPKO kanë deklaruar se kanë pranuar ankesa lidhur me WhatsApp-in, por nuk kanë identifikuar cenueshmëri apo incidente sigurie në sistemet e tyre. IPKO ka bërë të ditur se ka pranuar 13 raportime nga klientët e saj. Ndërkohë, Meta nuk i është përgjigjur kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment deri në publikimin e raportimit.
Institucionet dhe ekspertët e sigurisë kibernetike u kanë bërë thirrje përdoruesve që të aktivizojnë verifikimin në dy hapa në WhatsApp dhe bizneset të kenë edhe kanale alternative komunikimi me klientët, në mënyrë që humbja e qasjes në një llogari të mos ndërpresë komunikimin dhe shërbimet.