Gruda: Projektligji parasheh ndryshime të rëndësishme për Specialen

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka deklaruar nga Kuvendi se Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara parasheh disa ndryshime që, sipas tij, janë të rëndësishme.

“Ligji parashikon disa ndryshime që mendojmë se janë të rëndësishme. E para, mundësinë që Kuvendi të kontraktojë organizata ndërkombëtare, universitete dhe institute për të mbikëqyrur punën e Dhomave të Specializuara, përkatësisht të Apelit”, ka deklaruar Gruda nga foltorja.

Ai ka theksuar rëndësinë e transparencës në funksionimin e institucioneve demokratike.

“Mungesa e transparencës është e papranueshme në çdo sistem demokratik, veçanërisht kur vendosja për një çështje nuk ka të bëjë vetëm me fatin individual, por, siç shihet, edhe me historinë e një kombi”, ka thënë deputeti i PDK-së.

Gruda u bëri thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta votojnë këtë Projektligj në lexim të parë.