Kryeministri Albin Kurti ka dhënë një propozim të ri për Bedri Hamzën, me qëllim që sipas tij të shmangen zgjedhjet e reja.
Pas dështimit të ofertës së parë, Kurti ka propozuar Glauk Konjufcën e Feride Rushitin për president.
Ai ka kërkuar nga Hamza premtim që do ta votojë presidentin, me qëllim që VV ta votojë projektligjin për Specialen.
“PDK refuzoi ofertën tonë për mbështetjen e Bekim Sejdiut, e unë besoj që në rast të përgjigjes së tyre pozitive Bekim Sejdiu do të rikthehej. Përveç tij kemi edhe dy emra Glauk Konjufca dhe Feride Rushiti, e të cilët po ashtu janë aktual nëse ka interesim nga opozita”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se do ta votojnë projektligjin për Specialen fillimisht e pastaj presidentin, nëse Hamza zotohet se do të marrë pjesë në votimin për president.
“Bedri Hamza le të del publikisht sonte dhe të zotohet se i gjithë grupi parlamentar i PDK-së merr pjesë me votë në zgjedhje për president dhe ne pas zotimit të tyre menjëherë po ia votojmë leximin e dytë nëse ata mendojnë se nuk përbën problem afati 72 orësh. Ia votojmë paraprakisht ligjin, pastaj presidenti”, deklaroi ai.
Kurti është shprehur i gatshëm që seanca të thirret menjëherë me vetëm dy pika të rendit të ditës, fillimisht projektligji për Specialen e pastaj presidenti.