Bordi Drejtues i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB) zhvilloi mbledhjen e radhës, ku në fokus ishte situata politike dhe ekonomike dhe ndikimi i saj në zhvillimin e sektorit privat.
Në mbledhje morën pjesë Agim Shahini, Kryetar i AKB-së, Suat Berisha, Nënkryetar i AKB-së, si dhe anëtarët e Bordit Drejtues: Shkëlzen Jusaj, Arianit Koci, Haziz Tafa, Isak Tusha dhe Ahmet Kuqi.
Bordi vlerësoi se Kosova tashmë ka institucione të kompletuara, pas zgjedhjes së Presidentit të Republikës, dhe kjo duhet të shfrytëzohet për t’i dhënë vendit stabilitet institucional dhe një orientim të qartë drejt zhvillimit ekonomik.
AKB kërkon që Qeveria t’i përmbushë me urgjencë kriteret dhe obligimet e Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian, në mënyrë që Kosova të përfitojë plotësisht nga mundësitë financiare dhe ekonomike që ofron ky mekanizëm.
Mesazhi i Bordit të AKB-së është i qartë: politika nuk duhet të jetë pengesë për ekonominë. Bizneset kanë nevojë për stabilitet, institucione funksionale, investime, punësim dhe vendimmarrje të përgjegjshme.
Kosova duhet ta kthejë stabilitetin institucional në zhvillim ekonomik tha në fund Agim Shahini
President i Aleancës Kosovare të Bizneseve – AKB