Deputeti i PDK-së Përparim Gruda, ka mbajtur një konferencë për media ku ka folur për votimin e ndryshimeve të Ligjit për Specialen.
Gruda tha se kjo nuk bie ndesh me obligimet ndërkombëtare që i ka Kosova.
Ai theksoi se Kushtetuta nuk është prekur.
“Jemi të bindur që ky ligj nuk e shkel asnjë detyrim ndërkombëtare që Kosova e ka marrë dhe jemi ballëhapur para bashkësisë ndërkombëtare për të thënë se Kosova i rri besnike veprimeve për të hetuar pretendimet për trafik të organeve”, tha Gruda para mediave.
“Ky ligj ka për qëllim të kufizojë juridiksionin e Gjykatës Speciale dhe të garantojë gjykim të drejtë dhe të bazuar në standardet e Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila është detyrim edhe për këtë gjykatë”, ka deklaruar Gruda.
“Ne e mirëpresim deklaratën e presidentes së Komisionit Evropian, znj. von der Leyen, e cila tha se Kosova ka të drejtë ta ndryshojë ligjin. Ky ka qenë një udhërrëfyes për ne për ta draftuar dhe miratuar këtë ligj”, theksoi ai.