Qeveria formon grup punues për strategji shtetërore për Apelin ndaj katërshes së UÇK-së

Qeveria ka formuar një grup punues për hartimin dhe bashkërendimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës, në rastin e katër ish-krerëve të UÇK-së.

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se aktgjykimi i shkallës së parë është i padrejtë, si në aspektin juridik, ashtu edhe në atë moral. Ai ka theksuar se Qeveria po angazhohet që ky aktgjykim të korrigjohet në shkallën e Apelit.

Kurti ka bërë të ditur se grupi punues do të kryesohet nga zëvendëskryeministri Glauk Konjufca dhe do të përfshijë përfaqësues institucionalë e parlamentarë.

Sipas kryeministrit, për këtë proces nevojitet një strategji shtetërore dhe kombëtare, si dhe bashkërendim që tejkalon dallimet partiake.

“Për këtë arsye, po e themelojmë grupin punues, të kryesuar nga Konjufca, me përfaqësim institucional e parlamentar, për të bashkërenduar mbështetjen juridike e institucionale në funksion të procedurave të Apelit”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka shtuar se përmes këtij vendimi po konkretizohet zotimi i Qeverisë për t’u angazhuar, me mjetet në dispozicion, për drejtësi dhe për mbrojtjen e historisë së luftës së UÇK-së.