A do të nis shtatori sërish me greva në arsim? Flet Jasharaj

Viti i ri shkollor pritet të fillojë me kohë (Më 1 shtator 2023), për dallim nga viti i kaluar që kishte nisur me më shumë se një muaj vonesë.

Kjo pasi që Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) nuk do të mbajë grevë, siç kishte ndodhur vitin e kaluar, përkundër pakënaqësive të shumta që kanë.

Në një prononcim për Front Online, kryesindikalisti i arsimit, Rrahman Jasharaj, thotë se nuk e kanë ende ndonjë kërkesë për grevë.

“Për momentin nuk mundem të them gjë, edhe pse nëse i marrim diskutimet e fundit që i kemi pasur me udhëheqësit sindikal, nuk është përmendur ndonjë kërkesë nga terreni për grevë. Për grevë nuk mund të them se do të ketë për momentin”, deklaron ai.
Megjithatë, si Sindikatë kanë menduar që Ligjin e Pagave dhe atë për Skemat Pensionale i miratuar tashmë së fundmi, do të kërkojnë nga deputetët që të bëjnë ndryshime.

Jasharaj në një prononcim për Front Online thotë se do të insistojnë tek pozita e opozita që ta ngrisin koeficientin e pagave, i cili është 105 €.

“Ajo që di dhe që jemi marrë vesh është që me t’u kthyer deputetët nga pushimi, ne do të bëjmë kërkesa tek pozita dhe opozita, që ata të angazhohen që të ngritet vlera e koeficientit dhe të angazhohen që të bëhen përmirësimet e duhura te ligji për skemat pensionale të financuara nga shteti”, u shpreh ai.

Kryesindikalisti Rrahman Jasharaj thotë se një pjesë e madhe e arsimit është e pakënaqur me pagat.

Ai thotë me Ligjin e Pagave, administrata e universiteteve nuk kanë rritje fare.

“Një pjesë e madhe e sistemit arsimor, vërehet një ngritje e pagës nga Ligji i Pagave, e kam fjalën në çerdhe dhe punëtorët teknik janë ndarë pak më të kënaqur. Te ata nuk arrihet as 100 euro rritje, të pakënaqur plotësisht janë punëtorët e shkollave të mesme, dhe me arsyen më të madhe, tepër të pakënaqur janë administrata në universitetet e Kosovës, ngase tek ata nuk kanë rritje fare”, deklaroi ai.