Analistët kanë komentuar mundësinë e formimit të qeverisë së re, duke ndarë qëndrime që reflektojnë zhvillimet e fundit në skenën politike të Kosovës.
Analisti Visar Ymeri në TV Dukagjini vlerësoi se ekziston potencial real për krijimin e një qeverie nga partitë opozitare, për dy arsye kryesore: pajtueshmëria programore dhe balancat politike mes tyre.
“E shoh të mundshme një qeveri të partive që kanë qenë në opozitë për dy arsye. Së pari, kanë një pajtueshmëri më të madhe në pikat programore, sidomos për dialogun me Serbinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Së dyti, koalicionet me parti të madhësisë së përafërt kanë më shumë gjasa të jenë jetëgjata, sepse rreziku i zgjedhjeve i bashkon”, tha Ymeri.
Ai theksoi se sjellja politike e Lëvizjes Vetëvendosje dhe trajtimi i partnerëve të mundshëm mund të çojë në margjinalizimin e saj nëse nuk respektohen procedurat demokratike për formimin e institucioneve.
Ndërkohë, analisti Sadri Ramabaja u shpreh i bindur se Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të sigurojë shumicën për krijimin e qeverisë, duke përfshirë vota nga deputetë të LDK-së dhe PDK-së.
Lexo po ashtuHasani i prerë: Me asnjë çmim nuk e votoj Qeverinë e Albin Kurtit
“LVV-ja i ka 62 deputetë të siguruar. Disa prej deputetëve kanë ndryshuar qëndrim dhe pritet të deklarohen. Nait Hasani i PDK-së e tha qartë se nuk duhet bllokuar krijimi i qeverisë. Edhe të tjerë nga LDK dhe PDK janë reflektuar. Kjo çështje mund të qartësohet një ditë para seancës konstituive”, u shpreh Ramabaja.
Ai shtoi se disa prej kërkesave të komuniteteve minoritare janë adresuar, dhe sipas tij, “Veton Berisha është punë e kryer”, duke nënkuptuar mbështetjen e tij për formimin e qeverisë.
Për Ramabajën, retorika e opozitës ka krijuar pakënaqësi edhe brenda partive të saj, por pavarësisht kësaj, mundësia për një bashkëpunim të ri me Vetëvendosjen mbetet e hapur.
Seanca konstituive e Kuvendit është thirrur për 15 prill dhe sipas analistëve, ajo pritet të jetë vendimtare për fatin e qeverisë së re.