AAK: Paga minimale duhet të jetë 400 euro bruto

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), po e cilëson pazotësi të udhëheqjes së shtetit propozimin e Qeverisë Kurti që paga minimale në vend të ngrihet në 250 euro neto. Sipas kësaj partie, paga minimale duhet të jetë 370 euro neto.

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se vendimi i së mërkurës i Qeverisë që me ndryshimin e disa ligjeve të hapet rruga që paga minimale të bëhet 250 euro, është “edhe një pazotësi e Qeverisë me iu përgjigje gjendjes së rëndë në vend”.

“Në fakt, vlerësimet e fundit tregojnë se 250 euro vetëm sa ka arritur paga në shumë veprimtari të sektorit privat”, ka shtuar Tahiri.

Të mërkurën, Qeveria miratoi Projektligjin për ndryshimin e disa ligjeve që t’i hapet rruga ndryshimit të pagës minimale. Propozimin për pagë minimale 250 euro neto e kanë kritikuar edhe sindikatat. Aktualisht paga minimale është 170 euro.