AAK prezanton rezolutë për rritjen e koeficientit për paga në sektorin publik

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka prezantuar para deputetëve të Kuvendit rezolutën e propozuar nga ky subjekt politik për ndarjet buxhetore për rritjen e koeficientit të pagave.

Tahiri ka thënë se në vend që të gjindet bashkë një mënyrë për rritjen e koeficientit, shumica parlamentare ikë nga seanca.

“Në vend se të lëvizet çdo guri për gjetjen mënyrës për rritje të koeficientit, pra pagave, shumica parlamentare sot ikë nga seanca, ikë nga përgjegjësia, ikë nga detyrimet para qytetarëve, ikë edhe nga debati. Kjo qeveri, kjo shumicë, i ka kthyer shpinën qytetarëve, shërbyesve civil, pensionistëve, prindërve”, ka thënë Tahiri.

Ai ka thënë se qytetarët e Kosovës nuk ia kanë borxh askujt një sjellje të tillë politike.

“Nuk do të ndalemi në kërkimin e llogaridhënies për këtë sabotim dhe papërgjegjësi. Qytetarët tanë duhët të jetojnë më mirë”.

“Qytetarët tanë nuk ia kanë borxh askujt këtë sjellje politike e cila përhapjen e mjerimit dhe nënshtrimit e ka në epiqendër të veprimit politik”, ka shtuar Tahiri.

Kjo është rezoluta e propozuar: 1. KËRKON nga Qeveria e Republikës së Kosovës që në ndarjet buxhetore për vitin 2024, të propozoj buxhetin e nevojshëm – ashtu që vlera e koeficientit të pagave nga 105 euro sa ishte në vitin 2023, për vitin e ri fiskal 2024 të ngritet në 129 euro, dhe të bëhen përgatitjet e nevojshme që ky koeficient të hyjë në fuqi nga data 1 janar 2024.