Abazoviq propozon që raundi i ardhshëm i bisedimeve Kosovë-Serbi të mbahet në Mal të Zi

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, është shprehur i gatshëm që vendi të cilin e përfaqëson të bëhet nikoqir i bisedimeve e ardhshme midis Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se kjo ofertë vjen për shkak të raporteve të mira me liderët e të dyja vendeve.

“Personalisht, do të doja të zgjeroja ofertën time, nëse ka ndonjë raund të ri bisedimesh mes Kosovës dhe Serbisë, për t’i pritur në Mal të Zi”, ka thënë ai në një intervistë për “The Pavlovic Today”.

Abazoviqi ka vlerësuar se propozimi evropian paraqet një zgjidhje të mirë për palët.

“Ne nuk jemi pjesë e dialogut, por personalisht besoj se propozimi evropian paraqet një zgjidhje të mirë që është fitimprurëse edhe për Serbinë edhe për Kosovën. Kjo është rruga që rajoni duhet të ndjekë. Rruga e normalizimit është ajo e duhura për rajonin si hap i parë dhe në fund, pasi të plotësohen të gjitha kriteret, anëtarësimi në Bashkimin Evropian si synimi final për të gjithë rajonin”, ka theksuar ai.

Sipas tij, në mënyrë që marrëveshja e arritur në Ohër të zbatohet, palët duhet të jenë në të njëjtën faqe dhe t’i përmbushin obligimet për të cilat kanë rënë dakord.

“Në mënyrë që kjo të ndodhë, ata duhet të jenë në të njëjtën faqe dhe t’i përmbahen asaj për të cilën kanë rënë dakord. Unë nuk jam ithtar i një ideje ku palët nënshkruajnë diçka pa e ndjekur zbatimin. Kjo nuk ka funksionuar shumë mirë në të kaluarën. Pjesa më e rëndësishme është të siguroheni që ajo për të cilën ata bien dakord të zbatohet në praktikë”, është shprehur ai.

Abazoviqi gjithashtu ka theksuar nevojën që Kosova dhe Serbia të respektojnë dispozitat specifike të aneksit të zbatimit, duke përfshirë ato të Serbisë që nuk bllokon pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe Kosova “të zbatojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.