AKB hap rrugë të reja bashkëpunimi me Kinën — Agim Shahini nënshkruan marrëveshje strategjike për bizneset kosovare

Me ftesë zyrtare nga autoritetet e larta ekonomike të Republikës Popullore të Kinës, një delegacion i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), i udhëhequr nga kryetari Agim Shahini, po zhvillon një vizitë zyrtare në Kinë, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.

Gjatë qëndrimit në këtë shtet me zhvillim të fuqishëm industrial, delegacioni i AKB-së vizitoi fabrika dhe kompani të mëdha kineze, ku u mbajtën takime me përfaqësues të lartë institucionalë dhe ekonomikë.

Në kuadër të vizitës, u nënshkruan disa marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet kompanive kineze dhe partnerëve nga Ballkani Perëndimor, me fokus në investime, transferim teknologjie dhe zgjerim të tregjeve, shkruan Gazeta Stop.

Në prani të delegacionit të AKB-së, pala kineze theksoi interesimin për të investuar në rajonin e Ballkanit, duke e vlerësuar Kosovën si një vend me potencial të madh për bashkëpunim ekonomik.

Së shpejti, pritet të nënshkruhet edhe marrëveshja zyrtare e bashkëpunimit ndërmjet AKB-së dhe institucioneve ekonomike kineze, e cila do të hapë mundësi të reja për investime kineze në Kosovë dhe për bizneset kosovare që synojnë tregun kinez.

Delegacioni i AKB-së përfshin gjithashtu afaristët Shkëlzen Jusaj, Feriz Imeri dhe Miftar Kastrati, të cilët po zhvillojnë takime dypalëshe me kompanitë partnere kineze për identifikimin e projekteve konkrete bashkëpunimi.

Kjo vizitë konsiderohet një hap i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve ekonomike ndërkombëtare të Kosovës dhe në rritjen e mundësive për bizneset vendore në tregjet globale.