AKB-ja hap javën e prodhimeve vendore

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka hapur “Javët e Biznesit Kosovar 2022” me moton “Unë konsumoj produkte vendore, Po Ju?”.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini tha se vetëdija e konsumatorit për të konsumuar prodhime vendëse është e ulët.

Sipas tij, ekonomia po vuan nga importi i vendeve të ndryshme. Ai shtoi se prodhuesit janë ende të pa mbështetur nga institucionet e shtetit.

Shahini tha se analiza e fundit që kanë bërë tregon se prodhimet gjatë fushatës konsumohen 60%, ndërsa pas fushatës bie ky numër.

“Aleanca nga ajo kohë deri më sot përmes këtij projekti ka pasur përmbi 5 mijë prodhues të ndryshme, përmbi 100 mijë prodhime e rrugëtime të përbashkët me të vetmin qëllim për të mbështetur prodhimet vendore. Sot Kosova ka prodhime mbi 5 mijë produkte vendore. Hulumtimet tona kanë treguar se vetëdija e konsumatorëve tanë është e ulët në krahasim me konsumatorët e vendeve të ndryshme, megjithatë është bërë përparim”.

“Ekonomia prodhuese vuan nga importi i vendeve të ndryshme e sidomos barkodi 860 e cila ka marr tregun e Kosovës. Sivjet Serbia ka arritur eksportin më të madh në Kosovë. Shqipëria tash është partneri i dytë i joni. Prodhuesit vendor janë ende të pa mbështetur nga institucionet e shtetit dhe të pa mbështetur edhe nga fondet e ndryshme”, tha ai.

Drejtoresha menaxhese e AKB-së, Lumnije Ajdini e cila shpjegoi programin javor për këtë aktivitet, duke shtuar se qëllimi kryesor i këtij aktiviteti është promovimi i ekonomisë dhe rritja e konsumit për prodhimet vendëse.

“AKB në këtë vit shënon edhe 20-vjetorin e promovimit të prodhimeve vendore, jo vetëm në Kosovë por edhe në shumë vende të tjera. Qëllimi kryesorë është promovimi ekonomisë vendor, rritja e konsumit vendor, të stimuloj bizneset vendore. Ky manifestim do të filloj sot dhe do të vazhdoj me promovimin e produkteve. Konsumon produkte vendore”, tha ajo.