AKB-ja kundërshton uljen e kufirit të pagesave me para të gatshme: Mos e pengoni biznesin e ndershëm

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka kundërshtuar uljen e kufirit të pagesave me para të gatshme ndërmjet bizneseve nga 500 në 300 euro, duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse të rishikojnë ndikimin e kësaj mase në sektorin privat.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka thënë se lufta kundër ekonomisë joformale, evazionit fiskal dhe pastrimit të parave nuk duhet të krijojë pengesa shtesë për bizneset që veprojnë në përputhje me ligjin.

Sipas tij, një transaksion i dokumentuar me faturë, i regjistruar në kontabilitet dhe i deklaruar sipas legjislacionit në fuqi nuk duhet të trajtohet si i dyshimtë vetëm për shkak se pagesa është kryer me para të gatshme.

AKB-ja vlerëson se kufizimi i ri mund të rrisë kostot bankare dhe administrative, të vështirësojë pagesat e përditshme dhe të ndikojë në likuiditetin e bizneseve, veçanërisht të ndërmarrjeve të vogla, zejtarëve dhe bizneseve familjare.

Për këtë arsye, kjo organizatë kërkon transparencë institucionale për bazën ligjore të masës, analizë të ndikimit ekonomik dhe konsultime me përfaqësuesit e sektorit privat para ndërmarrjes së hapave të mëtejshëm.

AKB-ja kërkon gjithashtu që kontrollet të orientohen drejt bizneseve dhe transaksioneve me rrezik të lartë, përfshirë faturat fiktive, evazionin fiskal dhe pastrimin e parave, si dhe që bizneset të kenë qasje në shërbime bankare të përballueshme dhe efikase.

“Bizneset nuk kërkojnë privilegje, por kushte të drejta, siguri juridike dhe politika që mbështesin zhvillimin ekonomik të Kosovës. Lufta kundër ekonomisë së paligjshme duhet të forcojë shtetin dhe të mbrojë konkurrencën e ndershme, pa e vështirësuar punën e bizneseve që veprojnë ligjërisht”, ka deklaruar Shahini.

AKB-ja thekson se formalizimi i ekonomisë kërkon më shumë sesa kufizime, duke përmendur digjitalizimin, administratën efikase, drejtësinë fiskale dhe luftimin e korrupsionit e konkurrencës së pandershme.