Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka përshëndetur përmbylljen e procesit të zgjedhjes së Presidentes së Kosovës dhe miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Në një reagim të presidentit të AKB-së, Agim Shahini, thuhet se me këto vendime Kosova ka shmangur një tjetër krizë institucionale dhe ka hapur rrugën për stabilitet dhe funksionim të institucioneve.
“Urime Presidentes së Republikës së Kosovës, Justina Pulës-Shiroka! Kosova fitoi. Tani është koha për punë, stabilitet dhe zhvillim ekonomik”, ka shkruar Shahini.
AKB-ja ka falënderuar deputetët e Kuvendit të Kosovës për përmbylljen e procesit të zgjedhjes së presidentes dhe për miratimin e ndryshimeve në ligjin për Dhomat e Specializuara.
Shahini ka theksuar se pas tejkalimit të ngërçit institucional, fokusi duhet të jetë te puna, stabiliteti dhe zhvillimi ekonomik i vendit.