Prokuroria Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda – ka ngritur aktakuzë kundër katër personave me inicialet Y.S., B.V., Sh.B. dhe R.R., të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, lidhur me procesin zgjedhor të dhjetorit 2025.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, të pandehurit dyshohet se më 30 dhjetor 2025, në Qendrën Komunale të Numërimit në Shtime, gjatë procesit të numërimit të votave për vendvotimet, në cilësinë e anëtarëve të ekipit të numërimit, kanë vepruar në bashkëkryerje dhe me dashje direkte, duke shkelur rregullat dhe procedurat e përcaktuara nga legjislacioni zgjedhor dhe aktet nënligjore të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Y.S., në cilësinë e dëftuesit të votave, dyshohet se ka lexuar dhe komunikuar në mënyrë të pasaktë votat nga fletëvotimet, ndërsa i pandehuri B.V., duke shfrytëzuar qasje ekskluzive në sistemin elektronik të KQZ-së, ka regjistruar të dhëna të pasakta pa mundësuar mekanizma verifikimi nga anëtarët e tjerë të ekipit.
Ndërkohë, të pandehurit Sh.B. dhe R.R., edhe pse të pranishëm dhe pjesëmarrës në procesin e verifikimit të fletëvotimeve, dyshohet se me vetëdije nuk kanë ndërmarrë veprime për të parandaluar apo korrigjuar parregullsitë, duke mundësuar zhvillimin e një procesi të parregullt të numërimit.
Prokuroria thekson se si pasojë e këtyre veprimeve janë regjistruar rezultate të pasakta për kandidatët, të cilat janë konstatuar si mospërputhje thelbësore gjatë procesit të rinumërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), duke cenuar integritetin dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor.
Me këto veprime, të akuzuarit ngarkohen për veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, sipas nenit 216 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen në përputhje me ligjin.