Altin Krasniqi: Nëse votohet ligji, ka vullnet edhe për zgjedhjen e presidentit

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur sot takim me fillim nga ora 09:00, ndërsa deputeti i kësaj partie, Altin Krasniqi, ka bërë thirrje që deputetët dhe partitë politike të bashkohen për miratimin e ligjit në lexim të dytë.

Krasniqi, në një intervistë për Klan Kosova, tha se miratimi i ligjit është i rëndësishëm dhe u bëri thirrje të gjitha partive politike që ta mbështesin atë.

“Unë i bëj thirrje edhe një herë të gjithë deputetëve dhe partive politike që të bëhen bashkë dhe ta votojnë ligjin në lexim të dytë, dhe besoj se është shumë e rëndësishme që të kalohet ligji”, tha Krasniqi.

Duke folur për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, deputeti i PDK-së tha se miratimi i ligjit mund të krijojë vullnet politik edhe për zgjedhjen e kreut të shtetit.

“Nëse votohet ligji, ka vullnet që të zgjidhet presidenti, por jo të jetë një president partiak, por një president konsensual”, tha Krasniqi.

Ai theksoi kështu se PDK-ja e lidh mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për presidentin me krijimin e një konsensusi politik për çështjet që janë aktualisht në Kuvend.