Ambasadorja Kim njeh Alibeajn si kryetar të PD-së: Le të vazhdojmë së bashku përpara, jo mbrapa!

Takimi mes Ambasadores Yuri Kim dhe kryetarit të komanduar të PD-së, Enkelejd Alibeaj kishte një përfundim të qartë nga pala amerikane.

 “Le të vazhdojmë së bashku përpara, jo mbrapa!”, ishte mesazhi i Kim në Twitter fill pas takimit, duke nënkuptuar se e shkuara e PD-së, pra Sali Berisha duhet të lihet pas.

“Diskutim shumë i mirë sot me PD dhe kryetarin e komanduar të PD-së, Enkelejd Alibeaj kryetarit për një gamë të gjerë çështjesh. Ka pasur një marrëdhënie të fortë, të veçantë me PD-në që në lindjen e saj. Ne e vlerësojmë këtë marrëdhënie dhe rolin e domosdoshëm të PD-së, shpresojmë që të dyja vetëm të forcohen dhe kemi shumë punë përpara për ta mbajtur Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit në BE, demokracinë, ndërtimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe zgjerimin e mundësive të biznesit dhe ekonomik për të gjithë. Le të vazhdojmë së bashku përpara, jo mbrapa!”, shkruan Kim.

Takimi me Alibeajn në kryesinë e Kuvendit, pason atë të një dite më parë me kryeparlamentaren Lindita Nikolla. Takimet kryhen ndërsa Kuvendi pritet të nisë procedurat për zgjedhjen e Presidentit të Ri, proces i cili zyrtarisht duhet të nisë më 24 maj dhe brenda 7 ditëve, duhet të mbahet votimi i parë.

Lidhur me takimin në zyrën e kryeparlamentares Nikolla, Top Channel mësoi se për më shumë se 60 minuta në zyrën e kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, qëndruan Taulant Balla, Elisa Spiropali dhe Damian Gjiknuri, të mandatuarit e Ramës për të udhëhequr procesin e përzgjedhjes së kreut të ri të shtetit.

Burime nga ty takim pohuan gjithashtu se qëllimi i bisedës ishte përcaktimi i dy kalendarëve të punës. Atë të hapave që do të ndërmarrë grupi parlamentar socialist dhe kuvendi. Top Channel mësoi se këtë takim është dakortësuar dërgimi i ftesës për t’u përfshirë në konsultime i tre kryetarëve të tre grupeve parlamentarë të opozitës.

Javën e shkuar, Sali Berisha deklaroi publikisht se nuk do të votohet asnjë kandidaturë e propozuar ose e ardhur nga PS duke lënë të kuptohet se nuk do të ketë dhe një lloj dialogu, por e ftuar në emisionin “Top Talk” në Top Channel, ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali e përjashtoi mundësinë e negociatave me Berishën për zgjedhjen e presidentit të ri.

Për zgjedhjen e kreut të Shtetit, kushtetuta ka parashikuar 5 raunde votimi. Në tre të parat nevojitet një shumicë prej tre të pestash. Ndërsa në dy raundet e fundit presidenti zgjidhet me shumicë të thjeshtë.