Arben Gashi për shpenzimet e karburantit: Në fillim s’e kam ditur pse po kompensohem

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka deklaruar se gjatë mandatit të parë si deputet, meqenëse jetonte në Pejë, ka përfituar nga kompensimi i shpenzimeve të karburantit, ani pse nuk e ka ditur një gjë të tillë.

Ai shkroi në Facebook se këtë gjë e kishte kuptuar me shumë muaj vonesë.

“Mandati im si deputet i Kuvendit të Kosovës është i pesti me radhë. Gjatë mandatin tim të parë, kam jetuar në komunën e Pejës. Në atë kohë, për pjesën dërmuese të deputetëve, apo ata që jetonin jashtë kryeqytetit, Sekretariati i Kuvendit të Kosovës kishte vlerësuar se duhet t’iu paguhen shpenzimet e udhëtimit. Thënë të drejtën, asokohe as nuk e dija që na takonte një gjë e tillë, gjë që e kam kuptuar me shumë muaj vonesë”, shkroi Gashi.

Deputeti i LDK-së tha se nga mandati i dytë e tutje jeton në Prishtinë dhe kishte njoftuar Sekretariatin e Kuvendit të Kosovës për t’u liruar nga kompensimi.

“Mirëpo, nga mandati im i dytë e tutje unë jetoj në Prishtinë. Dhe nga dita ime e parë e mandatit tim të dytë, e kam njoftuar Sekretariatin e Kuvendit të Kosovës që tash e tutje jetoj në kryeqytet dhe se normalisht lirohem nga pagesa e udhëtimit. Për të qenë edhe më konkret; me vetëdije e ndërgjegje të pastër, në harmoni me normat e etikes, me vullnetin tim të lirë dhe pa presionin e opinionit publik, unë kam njoftuar e kërkuar, si dhe jam liruar nga pagesa e shpenzimeve të udhëtimit që nga dita ime e parë e mandatit tim të dytë – para 10 vitesh, apo që nga koha që unë jetoj në Prishtinë”, ka shkruar ai.

Gashi është pjesë e Kuvendit që nga periudha e katërt legjislative (2010-2014).