Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Astrit Desku, me numër 54, ka reaguar për gjendjen në sistemin shëndetësor të Kosovës, duke kërkuar transformim të thellë digjital si domosdoshmëri për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
Përmes një postimi në Facebook, Desku ka ndarë përvojën e tij personale gjatë ditëve të fundit, të cilat i ka kaluar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në një spital rajonal, për shkak të gjendjes shëndetësore të babait të tij. Ai ka theksuar se përballja nuk ishte vetëm me një sfidë shëndetësore, por me një sistem të stërngarkuar me procedura manuale, dokumente në letër dhe mungesë të digjitalizimit.
Sipas Deskut, dosjet e pacientëve përmbajnë dhjetëra faqe të shkruara me dorë, gjë që vështirëson punën e stafit mjekësor dhe farmacistëve, ndërsa analizat laboratorike dhe historiku mjekësor qarkullojnë ende në formë fizike. Ai ka përmendur edhe pritjet e gjata në korridore, vonesat në intervenime, si dhe vështirësitë gjatë transferimit të pacientëve nga QKUK në spitalet rajonale.
“Kjo nuk duhet të jetë normaliteti ynë”, ka theksuar Desku, duke paraqitur vizionin e tij për një sistem shëndetësor modern dhe të digjitalizuar.
Ai ka propozuar ndërlidhjen e të gjitha institucioneve shëndetësore me Sistemin e Informimit Shëndetësor, krijimin e dosjeve mjekësore elektronike, përdorimin e inteligjencës artificiale për përmbledhje të historikut mjekësor, caktimin digjital të termineve, receta elektronike dhe njoftime direkte për pacientët përmes aplikacioneve mobile. Sipas tij, kjo do të lehtësonte punën e stafit mjekësor, do të rritej transparenca dhe do të shmangeshin gabimet administrative.

Desku ka theksuar se transformimi digjital në shëndetësi nuk është luks, por domosdoshmëri, duke shtuar se Kosova ka nevojë për sisteme që punojnë në shërbim të qytetarit dhe për një shëndetësi që respekton dinjitetin e pacientit.
Në fund të postimit, kandidati i LDK-së ka ftuar qytetarët të mbështesin vizionin e tij në zgjedhjet e 28 dhjetorit, nën sloganin “Zgjidh shpresën”.