Bakoyannis: Do ta rekomandojë mbikëqyrjen e Kosovës nga Këshilli i Evropës

Raportuesja e caktuar për Kosovën nga Këshilli i Evropës, Dora Bakoyannis, për televizionin serb “N1”, ka thënë se do të rekomandojë mbikëqyrjen e Kosovës nga ana e Këshillit.

Ajo e ka vlerësuar sukses të madh bartjen e tokës mbi 20 hektarë në pronësi Manastirit të Deçanit.

“Kemi pasur sukses të madh në rajon në ditët e fundit, e ai është kthimi i pronës së Manastirit të Deçanit…që deri më tash tregon shenjë të qartë se ka një synim nga autoritetet e Prishtinës për t’iu bindur sundimit të ligjit dhe për të iniciuar reformat e nevojshme për statusin e sigurisë së pakicës serbe”, ka thënë Bakoyannis.

Ajo ka theksuar se është plotësisht e vetëdijshme se ka ende “një listë të gjatë të rasteve të pazgjidhura që kanë të bëjnë me demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Kosovë”.

“Sigurisht që nuk jam naive, jam plotësisht e vetëdijshme se është një listë e gjatë e çështjeve të pazgjidhura që kanë të bëjnë me demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Kosovë, si dhe rezistencën e Prishtinës në fronte të ndryshme. Këshilli i Evropës e di mirë këtë, por fakti që për pesë muaj arritëm të zgjidhnim çështjen e zvarritur për 25 vjet, është një arritje e madhe dhe do të jetë në raportin tim”, tha Bakoyannis.

Ajo ka thënë se në raportin e saj do të adresojë disa shqetësime.

“Të gjitha ato shqetësime në lidhje me statusin demokratik të situatës së minoritetit serb do të përmenden në detaje në raportin që përmenda”, tha ajo.

Tregoi se pasi votohet raporti, ai do të shkojë në Asamblenë Parlamentare për një votim tjetër dhe se do të rekomandojë monitorimin.

“Do të rekomandoj monitorimin e Kosovës nga Këshilli i Evropës – një proces postmonitorues që mund të fillojë nëse Këshilli i Ministrave vazhdon me votën e tij, sepse ai është përgjegjës për marrjen e vendimeve. Raporti im për të gjithë kolegët paraqet gjendjen aktuale në lidhje me të drejtat e njeriut, progresin e arritur në zbatimin dhe miratimin e ligjeve. Nëse raporti im miratohet, atëherë do të hyjmë në procesin e postmonitorimit”, shtoi ajo.

Bakoyannis ka shpjeguar se postmonitorimi është proces në të cilën kolegët nga Komiteti Politik monitorojnë çdo hap që duhet të zbatohet para Këshillit të Evropës.

“Prishtina duhet të pajtohet që t’i zbatojë ato hapa në muajt e ardhshëm, kështu bëhet në të gjitha vendet, kështu do të monitorohet edhe në Kosovë në rast se Komiteti i Ministrave vendos ta pranojë Kosovën anëtare të Këshillit të Evropës”, tha Bakoyannis.

Ajo ka thënë se raporti i saj nuk imponon asnjë pikëpamje për shtetësinë. Ajo shpjegoi se komuniteti serb dhe gjitha pakicat tjera në Kosovë duhet të kenë mundësi të ankohen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Është gjykatë, që nëse Kosova bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, atëherë ka të drejtë të vendosen vendimet e saja dhe më pas minoritetet mbrohen mirë. Kjo është arsyeja kryesore pse shumë vende duhen të bëhen anëtare, sepse atëherë do të gëzonin mbrojtjen e Gjykatës për të Drejtat e Njeriut. Pra, duhet të punojmë shumë në terren, nuk jam naive, e dimë se na pret punë, por mbrojtja e minoritetit serb dhe minoriteteve tjera do të jetë shumë më e mirë nëse Kosova bëhet anëtare e Këshillit të Evropës. Ajo që dua është që ne të bëjmë përpjekje dhe të sigurojmë që të gjitha të drejtat e njeriut të atyre njerëzve të mbrohen dhe të zbatohen”, ka thënë Bakoyannis.