Kurti takon Sarrazin, diskutojnë për bashkëpunimin e vendeve të rajonit në kuadër të Procesit të Berlinit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se gjatë ditës ka zhvilluar një takim me të dërguarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Në këtë takim siç ka njoftuar Kurti në X, është diskutuar për bashkëpunimin rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit.

Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe dhënien e ndihmës për integrimin e vendeve të BP në Bashkimin Evropian. Ai filloi dhe u prezantua në 28 Gusht 2014, nga Kancelarja Gjermane Angela Merkel.

Takimi i fundit i vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit është mbajtur në Shqipëri vitin e kaluar.