Bebe Rexha zhvillon aftësitë e gatimit gjatë qëndrimit në karantinë, preferon recetat shqiptare

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, ka ndërprerë thuajse të gjitha aktivitetet e saj që nga koha kur u fut në karantinë.

Gjatë këtyre ditëve, ajo është treguar më aktive për fansat, duke ndarë me ta fotografi dhe video të ndryshme nga përditshmëria e saj.

Këngëtarja 30-vjeçare ka shfrytëzuar rastin që gjatë kësaj kohe të izolimit, të aftësojë veten edhe më shumë në kuzhinë, duke provuar të gatuajë gjëra të ndryshme.

Nga të gjitha recetat, duket se ushqimet e preferuara për t’i përgatitur mbeten ato shqiptare.

Së fundmi, artistja emri i vërtetë i së cilës është Bleta, publikoi në InstaStory një imazh ku tregonte se po gatuante gjellën me qepë, e cila është tipike tradicionale e veriut të Shqipërisë.

“Ushqim shqiptar, dy orë që të zihen qepët”, shkroi Rexha në mbishkrimin e kësaj fotografie.

Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë, ajo tregoi se kishte provuar që për herë të parë në jetën e saj të gatuajë byrek dhe ia kishte dalë mjaft mirë mbanë.

Foto: Bebe Rexha/InstaStory

Bebe Rexha përndryshe vazhdimisht e tregon me krenari origjinën e saj shqiptare dhe nuk heziton të promovojë vlerat dhe kulturën e vendit prej nga vjen. /Telegrafi/