Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka reaguar pas zhvillimeve të mbrëmshme në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se zgjedhja e presidentes së re Justina Shiroka Pula duhet të shënojë një kthesë drejt funksionimit institucional dhe mbështetjes për ish-udhëheqësit e UÇK-së që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë.
Hamza ka thënë se beteja për drejtësi në Hagë nuk mund të mbetet vetëm përgjegjësi e individëve, familjeve, mbështetësve dhe mbrojtësve të ish-krerëve të UÇK-së.
“Shteti ynë tani duhet të jetë pranë tyre, me të gjitha kapacitetet dhe përgjegjësitë që i takojnë”, ka shkruar Hamza.
Ai ka falënderuar qytetarët që kanë protestuar në Prishtinë, qytete të tjera të Kosovës dhe në diasporë, duke i cilësuar ata si pjesë të rëndësishme të këtij procesi.
Hamza ka përmendur gjithashtu Deklaratën e Përbashkët të zotimit dhe vullnetit politik në Kuvend, ligjin për mbrojtjen e UÇK-së dhe zgjedhjen e presidentes, duke kërkuar koordinim dhe bashkëpunim institucional për atë që e cilëson si “kauzë kombëtare”.
“Beteja jonë për drejtësi duhet të vazhdojë. Dhe në këtë betejë, çlirimtarët tanë nuk do të jenë vetëm”, ka deklaruar Hamza.
Në fund, kreu i PDK-së ka bërë thirrje për unitet, duke thënë: “Duhet të jemi të gjithë bashkë!”.