Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka pritur sot në takim një delegacion të bizneseve nga Turqia, të kryesuar nga Osman Servi, kryetar i UTSIAD-it në Stamboll – Organizata e Industrisë dhe Biznesit Turko-Ndërkombëtar.
Në takim u diskutua për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, me theks të veçantë në rritjen e investimeve, shkëmbimet tregtare dhe krijimin e partneriteteve të reja ndërmarrëse.
Osman Servi u shpreh se bizneset turke janë të gatshme të thellojnë bashkëpunimin me AKB-në dhe të eksplorojnë mundësitë që ofron tregu kosovar. Ai vendosi në dukje se sektori privat në Turqi sheh potencial të konsiderueshëm për projekte të përbashkëta në fusha të ndryshme të ekonomisë.
Nga ana tjetër, Agim Shahini vlerësoi interesimin e UTSIAD-it dhe theksoi përkushtimin e AKB-së për të ndërtuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi, duke lehtësuar lidhjen e bizneseve kosovare me partnerë ndërkombëtarë.
Takimi u përmbyll me dakordimin për vazhdimin e komunikimit dhe përgatitjen e hapave konkretë drejt realizimit të projekteve të përbashkëta në të ardhmen.