Kryeministri Albin Kurti, në ekspozenë e tij para deputetëve, ka paraqitur një sërë premtimesh për mandatin e ardhshëm qeverisës, duke vënë theks të veçantë në forcimin e mbrojtjes, zhvillimin ekonomik dhe avancimin e rolit të Kosovës në rajon.
Një nga zotimet kryesore është investimi prej 1 miliard eurosh në mbrojtje gjatë katër viteve të ardhshme. Sipas tij, këto mjete do të shërbejnë për forcimin e aleancave strategjike, rekrutimin e ushtarëve të rinj dhe shumëfishimin e numrit të oficerëve. Po ashtu, ai ka premtuar funksionalizimin e fabrikës së municionit, zhvillimin e industrisë ushtarake vendore dhe prodhimin e dronëve luftarakë “Made in Kosova”, duke synuar rritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe vetëqëndrueshmërisë së vendit në fushën e sigurisë.
Në planin e politikës së jashtme, Kurti ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë do të vazhdojë përmes dialogut konstruktiv dhe kreativ, mbi bazën e Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të zbatimit të Ohrit. Ai ka nënvizuar se ky proces shihet si rregullim i marrëdhënieve mes dy shteteve sovrane, pa ndërhyrje në çështjet e brendshme, duke premtuar se qeveria do të mbrojë dhe zbatojë Kushtetutën dhe ligjet në çdo pjesë të territorit të Kosovës.
Kurti ka konfirmuar gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme për Procesin e Berlinit dhe për tregun e përbashkët rajonal, mbi parimet e barazisë dhe përfaqësimit të barabartë. Sipas tij, fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi rajonal janë thelbësore për paqen dhe sigurinë, ndërsa qeveria do të jetë e hapur për bashkëpunim me të gjithë ata që veprojnë mbi bazën e respektit të ndërsjellë.
Për fushën e drejtësisë Kurti ka premtuar Tani është koha të tregojmë se jemi shembull i inovacionit dhe i drejtësisë efikase.
Kurti ka thënë se në mandatin e ardhshëm reforma në drejtësi do të hyjë në fazën e saj vendimtare. Ai ka theksuar se do të vazhdojë lufta kundër korrupsionit dhe ligji do të zbatohet “pa frikë dhe pa favore gjithandej republikës”.
“Reforma në drejtësi nuk ka qenë vetëm synim, ajo ka nisur të bëhet realitet. Ligji për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë se Pajustifikueshme duhet të ecë përpara së bashku me vetingun ashtu që drejtësia të bëhet edhe e drejtë, edhe e shpejtë, edhe e besueshme. Do të themelohet Prokuroria e re e specializuar për çështjet e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe zyra për hetime disiplinore”, ka theksuar Kurti.
Kurti ka thënë se në mandatin e ardhëm për herë të parë, Bruto Produkti Vendor për kokë banori në Kosovë do ta tejkalojë vlerën prej 10,000 eurosh.
Në aspektin social, ai ka premtuar vazhdimin e politikave për zvogëlimin e pabarazisë, duke përmendur mbështetjen për lehonat dhe nisjen e projektit “Superpuna për gratë”. Ky projekt parasheh që për çdo grua të punësuar, qeveria të subvencionojë pagën minimale prej 500 eurosh për gjashtë muaj. Gjithashtu, është premtuar mbështetje shtesë për gjyshërit që kujdesen për fëmijët, me nga 100 euro shtesë mujore mbi pensionin bazë, me synim forcimin e familjes dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik.
Të mërkurën pas konstituimit të Kuvendit është mbajtur edhe seanca për formimin e Qeverisë.
Kryeministri Albin Kurti ka paraqitur edhe kabinetin e tij qeverisës. Ndryshe prej mandatit të kaluar, ky kabinet do t’i ketë 19 ministri, katër më shumë se kabineti i kaluar.