Chelsea vlerëson dyshen sulmuese të Milanit

Te Chelsea janë të motivuar për ta shënuar fitoren e parë këtë edicion në Ligën e Kampionëve. Chelsea e pret Milanin, por trajneri Graham Potter ka paralajmëruar futbollistët e tij. Ai të martën në konferencën për shtyp ka thënë se Chelsea duhet të tregojë kujdes maksimal në mbrojtje pasi rreziku më i madh vjen nga reparti i sulmit të skuadrës italiane.

Sipas Potterit, rreziku më i madh për Chelsean në këtë ndeshje të rëndësishme vjen nga Rafael Leao dhe Olivier Giroud. Dyshja sulmuese e Milanit ka shënuar nëntë gola në ndeshjet e luajtura deri më tani. Giroud ka pesë gola në dhjetë paraqitje, ndërsa Leao ka katër gola e shtatë asistime në nëntë ndeshje. Dueli mes Chelseat dhe Milanit zhvillohet të mërkurën prej orës 21:00 në stadiumin “Stamford Bridge” dhe i takon Grupit E të Championsit. Milani i prin këtij grupi pas dy ndeshjeve të luajtura me katër pikë, ndërsa Chelsea zë vendin e fundit me vetëm një pikë. Ka pësuar në udhëtim nga Dinamo Zagrebi, përpara se të barazonte në shtëpi ndaj Salzburgut.

“Kam mbetur i impresionuar me Leaon, pasi i kam shikuar ndeshjet e tij. Ai është lojtari që e bën dallimin te skuadra e Milanit. Falë sulmeve të tij ekipi po shënon gola. Është një top-lojtar, i cili pa problem mund të luajë edhe në Premier League. Kështu që duhet të tregohemi të kujdesshëm në mbrojtje dhe mos t’u lëmë hapësirë sulmuesve, pasi ne futemi në fushë për ta fituar ndeshjen që është shumë e rëndësishme për ne”, ka thënë Potter. “Po ashtu Giroudi është një lojtar që e njeh Chelsean shumë mirë. Edhe ai është lojtar fantastik dhe po luan mirë te Milani. Duhet të kemi kujdes nga kjo dyshe. Në fakt duhet të tregohemi superior për të marrë rezultatin që duam”.

Edhe qendërmbrojtësi Kalidou Koulibaly pret një ndeshje të vështirë ndaj Milanit. Senegalezi e njeh Milanin pasi ka luajtur tetë vjet për Napolin, përpara se t’i bashkohej Chelseat në verë. Koulibaly ka pranuar se synimi i Chelseat në këtë ndeshje është fitorja.

“Milani është një ekip historik, pasi ka fituar shumë. Ka lojtarë të talentuar dhe po luan mirë edhe këtë edicion pas triumfit sezonin e shkuar në Serie A. Është një ekip i rrezikshëm, sidomos në sulm dhe ne duhet të jemi maksimalisht të kujdesshëm”, tha Koulibaly. “Për ne kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme që duhet patjetër ta fitojmë. Pra, duhet të mos lejojmë Milanin të shënojë gol për ta fituar ndeshjen dhe për këtë jemi të përgatitur”.

Te Chelsea në dyshim për këtë ndeshje janë katër lojtarë: portieri Edouard Mendy dhe mesfushorët N’Golo Kante, Jorginho e Kai Havertz. Ndërkohë Milani do të jetë pa kapitenin Davide Calabria, pastaj qendërmbrojtësin Simon Kjaer, Theo Hernandezin dhe portierin Mike Maignan, të gjithë të lënduar. Po ashtu trajneri Stefano Pioli nuk llogarit në Alessandro Florenzin, i cili është lënduar më herët. Në ekip është rikthyer sulmuesi tjetër, Divock Origi që ka stërvitur të martën me pjesën tjetër të lojtarëve. Qendërmbrojtësi i Milanit, Fikayo Tomori ka thënë se është i gatshëm për përballjen me ish-ekipin e tij. Ai në janar të vitit të shkuar iu bashkua Milanit, ndërsa si lojtar është zhvilluar në akademinë e klubit nga Londra. Në rast se shënon gol në “Stamford Bridge”, Tomori nuk është i sigurt nëse do të festojë.

“Chelsea është ekip i madh, që përbëhet prej lojtarëve shumë të mirë. Ne jemi të fokusuar në lojën tonë, të cilën do ta përpiqemi ta aplikojmë edhe pse nuk do të jetë aspak lehtë. E kemi parasysh se do të jetë vështirë por duam ta mbajmë vendin e parë në grup për të avancuar tutje”, është shprehur Tomori të martën. “Edhe pse ka vetëm një pikë, Chelsea ka ekip të fortë. Po shpresoj të fitojmë dhe të bëjmë një hap drejt kalimit në raundin tjetër. Jam tejet i emocionuar që do të kthehem në ‘Stamford Bridge’ por synimi im është ta ndihmoj ekipin për një rezultat pozitiv, saktësisht fitore. Edhe këtë edicion po luajmë mirë në të gjitha garat dhe sigurisht se jemi të motivuar për të shkuar sa më larg”.

Ndeshja tjetër e këtij grupi, që starton në orën 18:45, është ajo që zhvillohet në Austri ndërmjet Salzburgut dhe Dinamo Zagrebit.

Duel tjetër interesant do të jetë ai i Grupit H, ku Benfica e pret skuadrën e Paris Saint-Germainit. Të dy ekipet kanë tubuar nga gjashtë pikë, por PSG-ja është lider për shkak të goldallimit më të mirë. Kjo përballje starton në orën 21:00 dhe zhvillohet në stadiumin “Estadio da Luz” të Lisbonës.

E mërkurë

Grupi E

Salzburg – Dinamo Z. (18:45)

Chelsea – Milan (21:00)

1. Milan 2 4

2. Dinamo Z. 2 3

3. Salzburg 2 2

4. Chelsea 2 1

Grupi F

Leipzig – Celtic (18:45)

Madrid – Shakhtar D. (21:00)

1. Real Madrid 2 6

2. Shaktar D. 2 4

3. Celtic 2 1

4. Leipzig 2 0

Grupi G

Man. City – Copenhagen (21:00)

Sevilla – Borussia D. (21:00)

1. Man. City 2 6

2. Borussia D. 2 3

3. Copenhagen 2 1

4. Sevilla 2 1

Grupi H

Benfica – PSG (21:00)
Juventusit Maccabi H. (21:00)

1. PSG 2 6

2. Benfica 2 6

3. Juventus 2 0

4. Maccabi H. 2 0