Kuvendi i Kosovës, me praninë e deputetëve të partisë në pushtet, pa Haxhi Avdylin, të hënën mbrëma votoi për dy kandidatet për presidente të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje, Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën.
Feride Rushiti mori 63 vota në rundin e parë, ndërsa kandidatja Hoxha asnjë votë. Një votë tjetër ishte e pavlefshme.
Partitë opozitare nuk morën pjesë në këtë seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentes së Republikës së Kosovës.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, në vazhdimësi i bëri thirrje deputetëve të grupeve tjera parlamentare që t’i bashkohen kësaj seance. Haxhiu madje me të nisur seanca, deklaroi se kanë informacione që ata gjenden në zyrat e tyre brenda ambientit të Kuvendit të Kosovës.
Kryetarja e Kuvendit, pas përfundimit të rundit të parë të votimit, tha se seanca do të vazhdojë të martën.
Kësaj seance i parapriu një tjetër në orën 17:00 e cila u ftua vetëm për të diskutuar për çështjen e presidentit e ku tërhoqën kandidaturat e tyre për këtë pozitë, zëvendëskryeministri aktual, Glauk Konjufca, dhe deputetja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku. As në këtë seancë nuk morën pjesë partitë opozitare.
E gjatë kësaj seance, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, deklaroi se opozita e ka bojkotuar procesin e zgjedhjes së presidentit të Kosovës dhe se sipas tij, kjo mund të kuptohet vetëm si mosrespektim i verdiktit të popullit.
Sipas Kurtit, nuk qëndron as arsyetimi i opozitës se nuk duan që Vetëvendosja të mbajë tri pozitat kyçe të udhëheqjes së shtetit, sepse ai thotë se opozitës ia ka ofruar pozitën e kryeparlamentarit, e po ashtu është bërë ofertë që të propozohen tre emra për president konsensual.
“Aman na ndihmoni të mos i kemi tri pozitat. Po kërkojmë mbështetjen, ndihmën e opozitës. Boll na dalin dy pozita. Si duam tri. Të dashur deputetë të opozitës ejani na ndihmoni të mos i kemi tri pozita, se tash i kemi tre pozita”, ka thënë Kurti.
Seanca për zgjedhjen e presidentit vazhdon më 28 prill me fillim në orën 10:00. Kjo është data e fundit e zgjedhjes së presidentit apo presidentes së Republikës së Kosovës.