Çka nuk dihet ende për koronavirusin

Edhe pse duket se është periudhë e gjatë, bota është përballur me koronavirusin vetëm që nga dhjetori.

Pavarësisht përpjekjeve të mëdha nga shkencëtarët, ende ka mbetur shumë për çka njerëzit nuk kanë njohuri.

BBC ka përmbledhur disa prej pyetjeve më të rëndësishme e që s’kanë marrë akoma përgjigje.

Sa njerëz janë infektuar

Është një prej pyetjeve më bazike. Ka qindra mijëra raste të konfirmuara me infektim, por ky është vetëm një fraksion i totalit të numrit të të infektuarve. Numrat kanë sjellë konfuzion pasi ka numër të madh të rasteve që s’kanë pasur fare simptoma. Zhvillimi i një testi të antitrupit mund të ndihmojë shkencëtarët të shohin nëse dikush ka pasur virusin. Vetëm atëherë mund të kuptojnë sa lehtë shpërndahet virusi.

Sa vdekjeprurës është

Deri më tani dihet numri i të vdekurve, por është e pamundshme të dihet shkalla e saktë e rasteve të vdekjes. Për momentin, rreth një për qind e njerëzve të infektuar vdesin. Por nëse ka numër të madh të njerëzve pa simptoma, shkalla e vdekjes do të ulej.

Të gjitha simptomat

Simptomat kryesore janë ethet dhe kolli i thatë. Fyti i thatë, kokëdhembja dhe diarreja kanë prekur disa prej të infektuarve. Por pyetja më e rëndësishme është nëse do të kemi simptoma sikur të gripit, rrjedhje të hundës apo teshtimë, e që janë prezentë te disa pacientë.

Roli që luajnë fëmijët në shpërndarjen e virusit

Fëmijët padyshim që mund të marrin virusin. Gjithsesi, shumica e tyre zhvillojnë simptoma të lehta dhe ka tejet pak vdekje në mesin e fëmijëve në krahasim me grupmoshat tjera. Fëmijët janë supershpërndarës të sëmundjeve për shkak se lëvizin shumë e rrinë me shumë njerëz, por me këtë virus, nuk është e qartë sa mund të shpërndajnë.

Prej ku erdhi saktësisht

Virusi ka shpërthyer në Wuhan të Kinës, në fund të 2019-s, ku u shfaqën një grup rastesh në një treg kafshësh. Koronavirusi është i lidhur me viruset që infektojnë lakuriqët, gjithsesi mendohet se virusi ka kaluar nga lakuriqët te një specie misterioze që më pas e ka bartur te njerëzit. Kjo lidhje akoma s’dihet, por mund të jetë burim për infeksione të tjera të mundshme.

A do të ketë më pak raste verës

Gripat dhe ftohjet janë më të zakonshme gjatë muajve të dimrit, por nuk dihet akoma nëse moti i nxehtë ndal shpërndarjen e virusit. Shkencëtarët kanë paralajmëruar se është e paqartë nëse do të ketë efekt ndryshimi i motit. Ata besojnë se ndikimi mund të jetë më i vogël se për gripat dhe ftohjet. Nëse ka rënie të lehtë gjatë verës, ekziston rreziku që dimrit të ketë rishpërthim, kur spitalet të jenë edhe me shumë pacientë me probleme të zakonshme gjatë dimrit.

Përse disa njerëz kanë simptoma më të rënda

Covid-19 është infeksion i lehtë për shumicën. Gjithsesi, rreth 20 për qind zhvillojnë sëmundje më të rëndë. Kjo varet kryesisht nga sistemi imunitar dhe mund të ketë edhe faktorë gjenetikë. Kuptimi i kësaj duhet të detyrojë njerëzit të kenë kujdes për ata që janë më të ndjeshëm.

Sa duron imuniteti dhe a mund të marrë dy herë virusin

Ka pasur shumë spekulime por pak prova se sa është i durueshëm çdo lloj imuniteti ndaj virusit. Pacientët duhet të kenë krijuar përgjigje imunitare nëse e kanë luftuar me sukses virusin. Por pasi që sëmundja ka qenë vetëm qe disa muaj ka pak të dhëna për këtë. Spekulimet se pacientët janë infektuar dy herë mund të jenë për shkak të gabimit në test që u ka thënë njerëzve se tani nuk kanë virus. Pyetja për imunitetin është kyçe për të kuptuar se çka do të ndodhë në periudhë afatgjate.

A ka mutacion ky virus

Viruset kanë mutacione gjatë gjithë kohës, por shumica e modifikimeve nuk bën dallim të madh. Si rregull e përgjithshme, njerëzit presin që viruset të bëhen më pak vdekjeprurës gjatë rrugës, por këtë herë s’është e garantuar. Shqetësimi është se nëse virusi ka mutacione, sistemi imunitar nuk do ta njohë më gjatë dhe një vaksinë specifike nuk do të funksionojë (siç ndodh me gripin).