Cristiano Ronaldo e cakton afatin e fundit për t’u larguar nga Manchester Unitedi

Cristiano Ronaldo ende dëshiron të largohet nga Manchester United.

Portugezi ka qenë vazhdimisht i lidhur me një largim nga “Old Trafford”, derisa thuhet se dëshiron që ende të luajë në Ligën e Kampionëve.

Ronaldo nuk udhëtoi me Manchester Unitedin në Tajlandë dhe Australi për turne para-sezonal – siç u tha për arsye personale, transmeton Gazeta Express.

Ai u rikthye te “Djajtë e Kuq” në javën e kaluar, derisa u paraqit të dielën në miqësoren me Rayo Vallecanon, në të cilën luajti vetëm 45 minuta.

Pavarësisht se është rikthyer në skuadrën e United, e ardhmja e 37-vjeçari mbetet në dyshim.

Sipas “AS”, Ronaldo dëshiron që të bëhet me skuadër të re para datës 7 gusht, kur Manchester United e zhvillon ndeshjen kundër Brightonit, që është e para për sezonin e ri në Premierligë.

Sipas gazetës spanjolle, pesë herë fituesi i “Topit të Artë” është pothuajse i sigurt që nuk do të luajë kundër Brightonit dhe ky është edhe afati i vendosur nga ai për t’u bërë me skuadër të re.

Agjenti Jorge Mendes po vazhdon të punojë për t’ia gjetur skuadrën e re Ronaldos, por deri më tani përpjekjet e tij nuk ka dhënë rezultat.

Ndryshe, ish-sulmuesi i Sporting Lisbonës, Real Madridit e Juventusit, me Manchester Unitedin ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2023, teksa ekziston opsioni për të vazhduar edhe për një tjetër vit.